“Loja e Froneve” në versionin shqiptar është beteja me batuta në distancë, mes kryeministrit Rama dhe presidentit të FSHF-së, Armando Duka. Golin e fundit në “ndeshjen” e tyre verbale, pa vepra konkrete, e ka shënuar presidenti i futbollit, pra sulmuesi i ” i fshehur”, Duka. Një gol i pastër, që nuk ka maviolë që e vë në dyshim aksionin, kur ia lëshoi drejt portës së kreut të qeverisë : “Gjithë shqiptarët kanë bërë tifo me Napolin në finalen e Kupës së Italisë, sigurisht prej Hysajt, kurse kryeminisrti Rama ishte me Juventusit”. Duket se gënjejnë ata që thonë se shefi i madh,nga punët e mëdha, akoma nuk e ka marrë vesh se çfarë shpotie ka gjetur shefi dredharak i futbollit, ai që në kohën e ndërtimit të stadiumit “Air Albania” i gëzohej si adoleshent , jetës në çift me shefin e madh të politikës…
“Loja e froneve” ose ndeshja e shefave të përkëdhelur, e cila ka mbërritur deri në qiellin e shtatë, thonë se do të vazhdojë gjatë. Do të ketë shtesë përmbi shtesë, madje do të ngjasojë me ato “simitet e pjekura” ku dihet fituesi, por ne do të presim momentin e penalltive. Shefit të vogël, atij të topit të shfryrë, i ka djegur pa masë “goli” në kohën e Pandemisë, kur zoti Rama ka gjuajtur në trekëndsh, kur lëshoi batutën: “ Futbolli kërkon para ndihmë? Le të shesë presidenti jahtin ose makinën luksoze, nëse i dhimbsen kaq shumë futbollistët..”
Kjo ndeshje shefash, me porta në distancë sociale, ka ndezur edhe bastet ilegale , edhe pse predikohet se loja e ndërzyer në skedina ka vdekur me kohë. Cili është basti më trazues në “lojën e froneve”? Goli i radhës, mbetet thembra e Akilit dhe vetëm një gjë nuk dihet: nëse do të jetë tokazi apo tek..merimangat. “Orakulli” parashikon se goli do të shënohet nga vetë zoti Rama, ku le t’i thotë çfarë të dojë presidentit Duka , dashtë zoti nuk i shkon mëndja vetëm tek një shejtanllëk. “ Është e vërtetë që isha me Juventusin në finalen e Kupës së Italisë, por kur luan Shqipëria gjithë shqiptarët dhe unë kemi qënë me Kombëtaren, kurse ti, i dashur president (i padashur në këto momente), edhe na e ke dredhur në ca raste..”
Sfidanti.al