Ligji dhe futbolli, edhe në Shqipëri po luhet një “finale”

Kur agjentët e FBI-së dhe ata të policisë zvicerane mësynë në zyrat e FIFA-s në Zyrih, thuajse askush nuk doli në mbrojtje të pavarësisë, apo të paktën, autonomisë së futbollit. Edhe pse ishte e qartë si drita e diellit, se operacioni kishte prapavijë “politike”, madje “gjeopolitike”, sërish arsyet juridike për ta zhvilluar atë ishin shumë të forta.

E njëjta situatë sot në FSHF, ku për herë të parë në zyrat e saj po shkojnë, jo policia apo SHISH-i, por agjentët tatimorë, dhe madje të nxitur nga një kërkesë e Kuvendit të Shqipërisë. Të gjithë e dinë se në krye të komisionit parlamentar që bëri kërkesën është një armik i deklaruar i Armand Dukës, si Erion Braçe, të gjithë e dinë se Braçe është në të njëjtën parti si kandidati për president, Bashkim Fino, por po ashtu të gjithë e dinë se, nëse një kërkesë e Kuvendit mbështetet në ligj, ajo është e pakundërshtueshme.

Padyshim që, edhe në Shqipëri e duan autonominë e futbollit dhe nuk duan që Federata të kthehet në një zyrë partie ku administrata të ndryshojë çdo katër apo 8 vjet, dhe ku të bëhen ndere apo shkelje. Veçse, po ashtu, askush nuk do që Federata të kthehet në një sekt të mbyllur e misterioz ku të mos jetë e mundur të kontrollohet nëse zbatohet apo jo ligji. Përsa i përket ndereve, ata që merren me futbollin, e dinë se të tilla janë bërë edhe pa qenë Federata nën ndikimin politik.

Çudia është thuajse zero që SOT po bëhet kontrolli tatimor ndaj veprimeve financiare të Federatës. Kjo pasi SOT në Shqipëri ekziston diçka që quhet VETING, dhe që, të paktën parimisht, kërkon që të mos ketë të paprekshëm. Në një farë mënyre, edhe në Shqipëri, ashtu si para pak viteve në Zvicër, po luhet një “finale” mes autonomisë së futbollit dhe korrektësisë së tij ndaj ligjeve.

Sfidanti.al