A e dëgjon veten kur flet ky trajneri Kolela i Partizanit? Dëgjoni se ç‘thotë fill pas Derbit, ku ai ishte ndër më të këqinjtë, në mos më i keqi, me ndërrimet që i bëri dhuratë Tiranës: “Nuk jam unë ai që duhet të ndryshoj diçka. E kam menduar kurthin ndaj Vllaznisë”. Ishalla ia ka me të futur Vllaznisë, se me Tiranën u nis t’ia ngrinte kurthin kundërshtarit, dhe në fund na kujtoi këngën “ç‘i bërë vetes o Dino”.
Ndërrimet e Kolelës në Derbi janë bërë meme humori sa thonë se Tirana, tamam në pjesën e dytë, i ka çuar një mesazh burrnie trajnerit italian, që të largoi më të mirët nga fusha, sepse edhe ne kemi shumë mungesa…
Pas Derbit, Kolela e mori veten i pari nga “demat”, aq sa përdori edhe frazën magjike të marrë hua nga Partia që fitoi “derbin e politikës”, duke thënë : Vazhdojmë përpara !
Po si mund të vazhdojmë përpara – e pyesin të kuqtë, kur ajo që ndodhi mbrapa, ndeshja me Tiranën, nuk harrohet për qamet. Por Kolela nuk ndalet, intrigon mjedisin kur thotë se ka ngritur një kurth për Vllazninë, ndaj tifozët e Partizanit po presin me padurim.. frikën e radhës, për të zbuluar enigmën: për cilin e kemi ngritur kurthin këtë herë !
Sfidanti.al