Kur Tirana na bëhet Tokio dhe Air Albania..Medison Skuar Garden

Kur ishte puna për shqiptarët, stadiumi “Air Albania” u shpall nga të zotët e punës, si stadiumi më i bukur në Ballkan. Kur vjen puna tek të huajt, ka një të vërtetë tjetër, që na prish shijet e përrallës sonë. Qënka stadiumi më i vogël në Europë midis atyre që janë ndërtuar me kosto 60 apo 70 milionë euro. Roma dhe Fejnordi vazhdojnë të bëjnë ironi me UEFA-n, ku dreqin e gjeti këtë stadium, që më shumë mban njerëz brenda në Kullë se sa tek shkallët.Pale kur pyesin se si do ta fusin veten e tyre me gjithë tifozë, në një stadium që mban 20 apo 21 mijë tifozë. Tamam sikur të fusësh djallin në shishe ….

Të lë pa fjalë dhe të çmend kjo buja dhe gjullurdia që po shkakton kjo finalja e Konferencë Ligës, e cila po na shitet sikur të jetë finalja e Championsit. Bileta në avion ka shkuar kacafiu, të flesh në Tiranë për këtë finale, të kushton sikur je në Tokio. Pale të blesh një biletë për në stadium, sikur je futur tek skena e shenjtë amerikane e Medison Skuar Gardenit.

Kjo finale që na u shfaq me ngjyrë të bardhë , e cila po kullon miliona në treg të zi, do të sjellë kaq shumë “flori” për shqiptarët, sa pritet që t’i lutemi UEFA-s edhe një nder te fundit : le të na dënojë prapë ndonjë ekip me 10 vite “burg”, por ama të tilla finale të na sjellë më shpesh!

Çfarë nuk thuhet e çfarë nuk dëgjohet për këtë ndeshje- minierë, që kudo ku shpon , nxjerr flori nga të tëra anët. Ndaj na duket si karamele fakti paralajmërues se tifozeritë e Romës dhe të Fejnordit paskan lënë përgjysmë një betejë dhune midis tyre, qyshse janë përballur për herë të fundit, por këtë herë me privilegjin se do të luajnë në një vend asnjanes, që edhe me stadiume bosh pordhon dhunë!? Në një tokë ku pritet magjia e madhe që me një natë futbolli, të shpëtojë gjithë hallet e një jete…

Sfidanti.al