Fjalët e drejtuesit të Partizanit, Genc Tomori nuk e kursejnë policinë, që ka bërë “autogol” në ndeshjen pa gola të Partizanit me Skënderbeun: “ Gardhin nuk e kaluan tifozët, gardhin e kaluan vetëm policët”. Historia e futbollit të luajtur në “Elbasan Arena” është shuar për t’u tjetërsuar në epitetin “ndeshja e dhunës”. Ajo që nuk mbaron kurrë dhe nuk ka bilbil që të vërshëllejë fundin e saj.
Ajo që ndodhi dje në Elbasan, do të kujtohet si një ngjarje që zbuloi edhe njëhere se “ndeshjet e mëdha” bashkëjetojnë me dhunën. Duam apo s’duam ne, kjo është e vërtetë. Po në Europë si ndodh në të tilla raste? Le të kujtojmë një rast, disa vite më parë, kur Këlni u mund nga Bajerni dhe do të zbriste një kategori më poshtë. Tifozët shkulën gardhin dhe u nisën për nga fusha. Policët u aktivizuan vetëm kur shkelën barin, duke formuar një bllok si një mur të fortë dhe duke i spostuar me taktikë tifozët andej nga erdhën. Policët tanë, nuk pritën kaq shumë, ndofta janë komanduar keq, dhe shkuan përtej asaj që konsiderohet bashkëpunim.