Çfarë mendon zv.presidenti i UEFA-s për Kosovën?

Dënimi i Kosovës nga UEFA ishte një vendim i pritshëm por jo i mirëpritur nga shqiptarët që çertifikojnë për herë të dytë “armiqësinë” e institucionit të futbollit europian në adresë të shqiptarëve këtej e matanë kufirit. E tha fjalën e saj UEFA dhe qartë madje pas ngjarjeve surreale të Beogradit 9 vite më parë dhe e ritheksoi pas Bukureshtit ku për të disatën herë, paramilitarët e tifogrupeve rumune të vëllazëruar me serbët pasardhës të Arkanit, i prekën Kosovës plagët e një kohe të ashpër e të dhunshme që vëllezërit tanë e kanë të vështirë ta hedhin pas krahëve.

Por çështja nuk është kjo, çështja qëndron tek pyetja: Çfarë mendimi ka njeriu që mbledh shqiptarët e Ballkanit në një tryezë sa herë UEFA ka nevojë për vota? Ndoshta kolltuku burokratik i zv.presidentit të UEFA-s nuk ia lejon që të mbajë një qëndrim, por mos vallë posti i presidentit të FSHF ia imponon dy fjali për të ngrohur sadopak shpirtrat e shqiptarëve të Kosovës të cilët janë jo vetëm zemra e shqiptarisë por edhe e tifozëve më të zhurmshëm e simpatikë që Kombëtarja Shqiptare ka nga pas prej shumë vitesh? A e meritojnë “Plisat” një shpjegim pse po përjashtohen nga stadiumi kur në fushë zbrët Shqipëria? Po kënga “Mora fjalë” pse u zhduk si me magji nga altoparlantet e FSHF-së ku përditë propagandohen arritjet e futbollit shqiptar? Çfarë po ndodh me bashkëorganizimin e Europianit të 21-vjeçarëve bashkë me Serbinë? Vërtet do t’i shkojë deri në fund marrëzisë? Në të tilla raste, heshtja flet më shumë se fjala.

Nga Pirro Bardhyli