Elversbergu ka shkruar historinë në futbollin gjerman, duke siguruar për herë të parë ngjitjen në Bundesligë. Skuadra e drejtuar nga Vincent Wagner vulosi promovimin historik pas fitores bindëse 3-0 ndaj Preussen Munster në javën e fundit të Bundesliga 2. Me këtë triumf, Elversbergu e mbylli sezonin në vendin e dytë, menjëherë pas Schalke 04, duke siguruar një biletë direkte për në elitën e futbollit gjerman për sezonin e ardhshëm.
Vendimtar në këtë garë rezultoi golavarazhi, pasi Elversbergu dhe Paderborni e përfunduan kampionatin me pikë të barabarta. Skuadra e Wagnerit arriti të triumfojë falë diferencës më të mirë të golave, duke lënë rivalët në vendin që të çon në “play-off”. Paderborni tani do të përballet me Wolfsburgun në ndeshjet shtesë për një vend në Bundesligë. Ndikim të madh në renditje pati edhe barazimi spektakolar 3-3 mes Hannoverit dhe Nurnbergut, rezultat që i hoqi Hannoverit shanset për ngjitjen direkte. Ndërkohë, drama nuk mungoi as në fundin e tabelës. Fortuna Dusseldorf ra zyrtarisht në kategorinë e tretë pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Greuther Furthit. Falë këtij suksesi, Greuther Furthi siguroi të paktën zonën “play-out”, ku do të luftojë për mbijetesën ndaj Rot-Weiss Essen. Për Elversbergun, ky mbetet momenti më i madh në historinë e klubit, me tifozët e qytetit me rreth 13 mijë banorë që tashmë bëjnë realitet debutimin mes gjigantëve të Bundesligës.
sfidanti.al

