Kush thotë se presidenti Duka ka vetëm një ekip….Kombëtaren, ndërsa kur vjen puna tek futbolli i vendit, tek ajo që i kemi vënë emrin Superligë, ai nuk tollovitet me “gjëra të vogla”. Dhe këto ditë, tamam kur futbolli i kampionatit po pret oksigjenin dhe kërkon të lërë amanetet , “zoti” paska zbritur në tokë…
Këmba e tij ka prekur tamam në qytetin ku lindi dhe lulëzoi loja me top, të cilën ai me mish e me shpirt po mundohet ta mbajë gjysmë gjallë e gjysmë të vdekur. Që të besohet më shumë kur thotë : “ Gjëja më serioze që kemi ne në Shqipëri është Kombëtarja”
Po ç‘ka dashur presidenti Duka në Shkodër? Edhe pse fjalët e tij, si gjithmonë janë të “shenjta”, mbani shënimet e radhës: “ Me Presidentin e Vllaznisë, Alaban Xhaferri diskutuam për shumë çështje lidhur me zhvillimin e futbollit shkodran. E falenderova për kontributin e tij të vazhdueshëm…”
Bravo president, ke gjetur tamam kohën e duhur për …dasmë o Safa Ymeri! Paska qënë e bekuar kjo fitorja e fundit e Vllaznisë, i hapi rrugë vizitës së “gjeneralit” të ushtrisë së vdekur! Gjynah që nuk e falenderove zotin Xhaferri edhe për ndeshjen e fundit me Dinamon, ku kishte aq pak tifozë në stadium, sa na u kujtua ajo batuta shkodrane për Dinamon e vertetë , (jo këtë kushërirën e Mançester Sitit), se ka aq tifozë, sa shkodranët çojnë krushq nëpër dasma…
Sfidanti.al