Largimi i Orges Shehit nga stoli i Tiranës ishte një ngjarje që nuk habiti askënd dhe ironia fillon pikërisht këtu. Njeriu që e rriti skuadrën shumë gjatë tre sezoneve u “ngri” me një të rënë të lapsit jo sepse kishte arritur rezultate të dobëta por sepse skuadra e braktisi (sipas zërave, me urdhër të klubit). Tirana e dërgoi në tribunë duke tentuar madje edhe nëpërmjet një fushate mediatike të bindte publikun se kishte plotësisht të drejtë, por koha punoi kundër presidentit Refik Halili dhe klubit 26 herë kampion.
Sot, Shehi ka marrë të drejtë të dëmashpërblehet deri në qindarkën e fundit për “goditjen nën brez” të presidencës ndërsa moralisht tekniku durrsak është më i lehtësuar tashmë që Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve e zgjidhi këtë konflikt në favor të tij por në krahun tjetër rëndoi edhe gjendjen financiare të Tiranës, momentalisht me merkato të bllokuar pasi është pikërisht dënimi që ka marrë nga Disiplina për mosshlyerje të detyrimeve ndaj disa ish-bashkëtorëve.
Nga Pirro Bardhyli