Klinsman dhe Shirer: Kjo Itali e meritoi, lojë sulmuese e admirueshme!

Dy nga legjendat e futbollit europian ishin në koment për BBC-në britanike në çerekfinalen më të fortë nga të gjitha, Belgjikë-Itali, dhe ata kishin mendim të përbashkët. Jurgen Klinsman, kampion i botës dhe kampion i Europës me Gjermaninë, vlerësoi lart skuadrën e kaltër. “Loja sulmuese e Italisë ishte mahnitëse, – tha ish-sulmuesi gjerman, – të tilla ishin kombinimet, pasimet radhazi. Në një minutë e gjysmë ata bënë 25-30 pasime dhe Belgjika parkoi autobusin në ato momente. Italia mund të mbështetet gjithnjë tek mbrojtja e fortë, që e ka në ADN, po ashtu lojtarët e saj dinë hë humbin paksa kohën me dinakëri”. Klinsmani veçoi Barelën që sipas tij “do të dominojë për shumë vjet”.

Alan Shirer, ish-sulmuesi i shquar i Anglisë, deklaroi se “Italia e meritoi fitoren”. “Një paraqitje që pati gjithçka, – u shpreh ai, – cilësi në sulm, forcë në mbrojtje. Në 20’ e fundit u mbrojtën për jetë a vdekje dhe ata janë mjeshtra në këtë fazë. E bënë shkëlqyeshëm. Dy veteranët (Kielini, Bonuçi) ishin të mrekullueshëm dhe përballuan gjithçka”.

Sfidanti.al