Ky i yni prej kohësh është një futboll paradoksesh dhe meqenëse na janë bashkuar ndjenjat e humorit, tani ka filluar e nuk na bën më përshtypje asgjë. Komiteti i Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë e shtyu për në datën 1 korrik praninë e reduktuar të tifozëve nëpër stadiume, duke i klasifikuar impiantet sportive si ambjente me riskun më të lartë për shpërndarjen e pandemisë. Pra në një kohë që baret gëlojnë nga të rinjtë që studiojnë “on line”, stadiumet dhe pallatet e sportit do të vazhdojnë të mbeten të heshtura, duke u mjaftuar vetëm me tubime politike. Por meqenëse folëm për paradokse, ky ishte vetëm një vendim zyrtar, pasi në realitet stadiumet kanë kohë që i kanë hapur dyert, ndoshta edhe më shumë se në 30% të kapacitetit. Foto është e fiksuar në javën e fundit të kampionatit, përpara se Komiteti i Ekspertëve të vendoste të na hiqte maskat. Në fund të fundit, rregullat janë bërë për t’u shkelur.
Në fakt, këto periudhat “e prohibicionit”, nuk janë gjë tjetër, veçse një lloj nxitje për të bërë të kundërtën e asaj që të thonë. Stadiumet tona prej shumë kohësh janë kthyer në simbolin e bojkotit nga tifozët, kryesisht për shkak të mungesës së besimit tek futbolli i pastër. Ndërkohë që drejtuesit e Federatës e kanë mbështetur në heshtje mungesën e tifozëve në shkallë, madje e kanë stimuluar me mënyrën e tyre dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se ky produkt duhet fshehur me aq sa është e mundur. Ndërsa tani, ambjenti është mbushur me hipokrizi dhe çdo ditë dëgjohen thirrje histerike, për të lejuar tifozët të thyejnë heshtjen e stadiumeve, ndërsa këta të fundit kanë harruar bojkotin e gjatë në shenjë proteste dhe tani qëndrojnë tek dyert e jashtëve, nga inati që nuk i lënë të futen. Por shefat e mëdhenj të futbollit po vazhdojnë të tallen me thirrjet e tyre të forta dhe letrat e mbushura me emocione, pasi ende nuk duan njeri t’u shkeli në stadiume. Tashmë është bërë e zakonshme që ndeshjet të luhen në ditë dhe orare kur ata që po ftohen janë duke u munduar të nxjerrin bukën e fëmijëve të tyre… ndërsa ky futboll meriton të fshehet edhe për ca kohë.
sfidanti.al