Këputet një “yll” i kombëtares, shuhet i mrekullueshmi Ylli Mihali!

Në kohën që përfaqësuesja ishte në fushë, një pjesëtar i saj luftonte me vdekjen. Lajmi i hidhur vonoi, por nuk mungoi të vinte, që fizioterapisti i kombëtares, Ylli Mihali, u shua në spital për shkak të koronavirusit. Specialisti 55-vjeçar ishte prej 2 javësh në intubim, ndërsa dhimbja për humbjen e tij është e madhe. Sipas burimeve në Federatë, Mihali ishte i vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa mësohet se kishte bërë vaksinën kineze.

Ai ishte pjesëtar i pandarë i kombëtares, në krah të trajnerëve të ndryshëm prej 27 vitesh, që nga koha e Neptun Bajkos, Astrit Hafizit, të ndjerit Medin Zhega, Sulejman Demollarit dhe gjithë trajnerëve të huaj të Shqipërisë, si Brigel, Han, Bariç, De Biazi, Panuçi e Reja. Ai ishte me kuqezinjtë në suksesin historik, në fazën finale të Kampionatit Europian të vitit 2016 në Francë, kur Shqipëria u kualifikua për herë të parë dhe të fundit deri më sot. Ylli Mihali vlerësohej jo vetëm si profesionist i vërtetë, por sidomos një njeri i vërtetë, i kulturuar, i pjekur dhe me shumë humor. Disa prej ish-lojtarëve të kombëtares, si Migjen Basha apo Mërgim Mavraj kanë kontaktuar me zyrtarë në Federatë duke i kërkuar informacion sepse duan që të vijnë në Tiranë për të bërë homazh për të.

Sfidanti.al