Ju kujtohet anektoda me dy hajdutët që vodhën një shtëpi bashkë dhe më pas, kur ia mbathën ..vodhën edhe njëri- tjetrin. Edhe ne kur plasi skandali në Itali me futbollistët Tonali dhe Zaniolo që kishin vënë baste ilegale , mbetëm të “zhgënjyer” nga vesi i rilindur i komshinjve. Pse janë të tillë italianët ? – pyetej me “sinqeritet” nga anët tona, kur Italia na la në baltë kur u dënuam 10 vite, pa na qarë hallin si komshinj që vuajmë nga sëmundje kronike të përbashkët..
Madje nëpër studio e sportit nisëm të zhyteshim në hallet e tyre, flisnim për tradhëtitë italiane me topin, pa pyetur fare se sa Tonalë dhe Zaniolo luajnë mes nesh. Edhe njëri që pyeti “gabim” në një studio : pse merreni me Italinë , pse nuk shikojmë veten tonë për baste, pyetja e tij nuk shkoi në vesh të shurdhët , por në një shurdhëri kolektive..
Edhe në Shkodër, ku ka sy e vesh boll, atje ku lindi futbolli, po e shohin me dyshim krijesën e tyre me top..Vllazninë. Thonë me humor se siç dridhet dhe përdridhet Vllaznia në garën e Superiores, nuk dridhet dot robi edhe në dasmë! Këto ditë, një ish-futbollist shkodran Fatmir Lugji, paska thënë atë që ishalla e dëgjojnë të gjithë, por vetëm italianët mos e marrin vesh : “ Me Vllazninë luhet në dy fronte, në fushën e futbollit dhe në tastierë. Prandaj edhe i kanë mbathur edhe tifozët nga stadiumi..”
Sfidanti.al