Dikur thonim me krenari se basketbolli është sporti i harmonisë dhe i paqes, loja ku rivalizojnë “shkollarët e lartë”, skena ku sporti fiton një dimension tjetër. Në kohën e sotme, mund të thuhet, pa krenari, se basketbolli po i rrezikon kurorën e dhunës futbollit, sidomos kur përplasen “pronarët e sotëm”, presidentët e klubeve. Ajo që ka ndodhur në Durrës, ku njëri president nuk lejon te futet në Pallatin e Sportit presidentin tjetër, i cili tërheq edhe ekipin nga ndeshja, është dëshmi fatale e shëmbullit se dhuna buron e pastër nga burimi, pra nga sipër, nga vetë presidentët, dhe më pas.. uji turbullohet poshtë nga sportistët, të cilët jo rrallë, e pësojnë si delet të cilat i binden “bariut” për t’u hedhur nga ..gremina.
Sherri “mesjetar” që provokoi zënka midis presidentëve të dy klubeve të elitës, Perikli Goga i “Goga Basket” dhe Arqile Gorea i “Teutës”, ku njëri sipas “kanunit” nuk lejon që tjetri të vërë këmbën në pronën e tij, ka mbuluar me turp dhe fyerje kolektive një qytet, i cili besonte se sporti ishte mënyra më e mirë për të kapërcyer depresionin e shkaktuar nga lëkundjet e tërmeteve. Dikur, në tokën e futbollit, atje ku dhuna shërbehet si pjata më e freskët, dëgjohej shprehja “ topi është i imi dhe fatin e lojës e di vetëm unë”, ndërsa sot, në kohën e basketbollit të privatizuar nga “pronarët”, fraza tingëllon më sfiduese: “Pallati i Sportit është pronë e imja dhe ti nuk ke për të shkelur këtu..”
Sfidanti.al