Ishalla na dënojnë vetëm me minus 6 pikë? Tallje kampione në Vlorë!

Vlora nuk është qyteti ideal për të marrë dhurata nëpërmjet futbollit sepse topi për vlonjatët, në tërë këto vite, ka qënë sebepi për  tradhëti nga brënda dhe nga jashtë familjes.  Sidoqoftë, një dhuratë historike për “mbretin”, sepse tingëllon aktuale edhe në ditët e sotme, kur Flamurtari nuk tradhëtohet më për titull si në kohën e Gjikës, por për të shpëtuar kokën nga mllefi zyrtar. Një ditë të bukur, mund të ketë qënë edhe hera e fundit kur presidenti Duka ka vënë këmbën në stadiumin rebel, para se të niste ndeshja, Gjika i ka dhuruar Dukës një “perlë të vogël” si kujtim i dashurisë së shtirur. Dialogu mbahet mend, sepse vlen sikur të ishte një gol në trekëndësh..

Presidenti Duka : “ Në gjithë këto vite që jam në krye të futbollit, nuk e kam patur zakon të marrë dhurata.. zoti Gjika. Ndaj kjo është e tepërt..”

Shpëtim Gjika: “ Vlora nuk gabon kur bën dhuratë. Janë një palë tapa veshësh, duhet t’i vini në stadium dhe të mos dëgjoni sharrjet e tifozëve, ngaqë mezi po ju presin…”

Atëherë, Flamurtari tradhëtohej në garën për titull. Ndërsa në kohën “moderne” të Sinan Idrizit, do të ishte budallëk të mendoje që presidenti të vinte këmbë  në stadium, qoftë edhe i veshur me antiplumb. Duket si karamele të mendosh për taposjen e veshëve, sapo kujton se Flamutari është ekipi i mallkuar per shefin. Dhe kjo, edhe për meritë të donatorit Sinan Idrizi, që sa herë i del para “macja e zezë” e futbollit , as nuk ndryshon rrugë sipas zakonit të vjetër të “shoferëve” të Superligës( presidenteve), por i jep gojës me marshim  e tretë. Ndaj, ato që kemi dëgjuar nga goja e hidhur në adresë të presidentit Duka, dëshmojnë se tapat e veshëve do ta bënin më shumë punë në kohën e sotme, për të mos dëgjuar akuzat plot fshikullim të Sinanit. Aq të forta dhe shpuese, sa kur fillon muzika e tij e njohur ndaj pronarit të futbollit, vlonjatët  lozin me sarkazëm me njeri- tjetrin: “edhe këtë kampionat do ta fillojmë me minus, por ishalla vetëm me 6 pikë…”

Sfidanti.al

Botuar ne Panorama Sport