Iftari i FSHF-së si opiumi për futbollin

FSHF shtroi dje pasdite një iftar për besimtarët myslimanë, pjesë e komunitetit të futbollit duke i bërë të gjithë bashkë në një tryezë. Një gjest që në aspektin fetar dhe atë të besimit e të bashkimit, duhet vlerësuar por…ka gjithmonë një “por” kur flitet për institucionin e famshëm të vendimeve dhe veprimeve absurde. Në një tryezë të tillë, jo Iftari, por diskutimi dhe vendimmarrëse rreth problemeve më të mprehta të lojës që në Shqipëri po vdes, FSHF nuk e ka organizuar kurrë, ndërsa një të tillë nuk e mblodhi as kur vendosi sipas dëshirës së presidentit rreth formulës që po i merr frymën Superiores.

FSHF nuk shtron “debat” në asnjë rast e rrethanë dhe këtë e bën me qëllim për t’i pasur të gjithë ushtarë të bindur tek e tek, duke mos i lejuar që njerëzit e futbollit që luajnë në fusha, ta shikojnë njëri tjetrin në sy e më pas me shpresë mund t’i ngrenë edhe disa pyetje njëri tjetrit. Ky është “Iftari” që duhet të shtrojë FSHF për njerëzit e futbollit, e pastaj, sigurisht edhe Iftarin e vërtetë mund ta respektojë vit pas viti pasi besimi nuk duhet të jetë vetëm ai i tavolinave por edhe ai i moralit.

Nga Pirro Bardhyli