Tirana merr kreun, Partizani dhe Vllaznia bashkë me Egnatian projektohen ndjekës të bardhebluve. Ky është përfundimi që jep tabloja e 4 ndeshjeve të para të javës së tretë ku bardheblutë me vuajtje kaluan Skënderbeun dhe e zbritën nga froni duke e ulur me këmbë në tokë, ndërsa Vllaznia me 1 mijë halle u tregua bujare me Partizanin që nuk arriti të “kafshonte” në Shkodër edhe pse ishte skuadra më agresive në fushën e lojës madje edhe me 10 lojtarë për rreth 80 minuta.
Shumë zhurmë, gola, polemika dhe analiza, ekuacione, sigurisht edhe investime që reflektohen në fushë e renditje por ky fillim-sezoni duket se nuk ka shijen e viteve të kaluara ku gara startonte që nga shkelmimi i parë i topit. Edhe pse momentalisht Shehi me Tiranën e tij renditet në krye, nervi i garës duket i vrarë që në start. Askush nuk dëshiron të thyejë kockat në një sezon të rregullt që do të shumëzohet me 0 pas 36 javëve të gjata dhe sfilitëse. 13 gola në 4 ndeshje shërbejnë vetëm për statistika sepse në muajin maj shorti do të hidhet sërish dhe ky sezon i rregullt deri në “finalen katërshe” duket si një krijesë që ka lindur e “vdekur”.
sfidanti.al