Nëse në Superligë ka ndeshje që shpëtojnë nga skenari i komanduar , në Kupën e Shqipërisë, duket sikur është e ndaluar të lodhesh për të aktruar rolin deri në fund . Prej vitesh, të gjithë kemi bërë paktin me pokerin zyrtar, ku njëra palë luan me karta të hapura për të zbuluar fituesin, kurse pala tjetër, ajo popullore, bën sikur nuk sheh, ngaqë do të befasohet në fund. Këtë moral të pamoralshëm, Kupa e ka fituar me “punë”, aq sa mund të thuhet se “Kupa e Shqipërisë” nuk është gjë tjetër veçse një kupë me helm , që sherbehet si lëng jetik, pa të cilin trupi i futbollit nuk do të mbahej dot në këmbë. Një lugë nga ky lëng është i këshillueshëm për të kuptuar më mirë mesazhin e ndeshjes gjysmëfinale të Kupës, midis Skënderbeut dhe Flamurtarit, ku brendia e lojës humbi gravitetin mbi të cilin qëndronte..
Humbi Skënderbeu në Korçë, duke zbuluar edhe njëherë publikisht se “protesta” ndaj megadënimit të UEFA-s, nuk është më në sheh, por ka zbritur në fushë. Dikur, kur luanin kundër Flamurtarit, nga fusha dëgjoheshin dhëmbët dhe këmbët që kërcisnin, këtë radhë “armiqtë” nuk kishin nerva, por dhuronin gabime të denja për..të mbushur Kupën . Pale kur kujton se u dërgua në koshin e mbeturinave edhe një penallti e shpikur nga arbitri Jorgji, si për të treguar “finskëri” edhe në ditët që nuk luajnë për fitore…
Skënderbeu ka dashur të “vrasë” veten apo e vrau Flamurtari? Kjo pyetje nuk vlen një grosh kur flitet për ndeshje kupe, ndaj le ta besojmë Flamurtarin kur i bie gjoksit si fitues.Apo trajneri Duro që paska thënë se për trofeun e Kupës do të kishte firmosur qysh në fillim të sezonit, duke i dhënë një shkelm të fortë harrese, vandakut të 7 ndeshjeve të dështuara në kampionat. Si vjen puna, kur Flamurtari mori vrull në kampionat, duke mbajtur shpesh në kurriz edhe arbitrat, askujt nuk ia mbante të vinte firmë se ku do të mbërrinte ky harbim. Tek Kupa, mund të firmosësh qysh në fillim, por jo me..kokën tënde!
Sfidanti. al