Ka bërë bujë penalltia e fundit e Enea Jorgjit , një dhuratë e tejkaluar moralisht për kampionët e Skënderbeut, pikërisht në Shkodër, atje ku ka lindur futbolli i vërtetë. Arbitri me stemë, u rikthye përsëri në grackën e gabimeve të vitrinës, këtë herë, pa patur të drejtën morale që t’i bënte vetes auto-maviolë, siç u privilegjua pak javë më parë. Atëherë, kur për të mbrojtur lëkurën e vetë, shkeli me të dyja këmbët ligjin e pashkruar të arbitrave për të dhënë intervista fill pas ndeshjes. Megjithatë, ajo që ndodhi në Shkodër, penalltia me kontakt, siç pretendohet ta shpëtojnë Jorgjin “ëngjëjt” e maviolës, zbulon se atentatet me bilbil.. fabrikohen gjetiu dhe plasin në fushë.
Ndodhi me shpejtësinë e dritës,kur Jorgji gaboi në Shkodër, duke e shtuar listën e mëkateve të spikatura, kurse nga nga lart, atje ku “shpëtohet jeta” e arbitrave doli fabrikimi mbrojtës : kishte kontakt në rastin e penalltisë së Salihit! Një lajm që u stërhollua bukur fort nga misionarët e Federatës nëpër maviola, dhe më dyshuese akoma, kur në ekran dëgjoje: “ Paska, paska patur një kontakt që nuk kapet nga syri i popullit në stadium..”. Sa gjëra i shpëtojnë syrit të popullit! Futbolli i kontakteve, ai që të kujton atë lojën me “lule mos më prek”, ka filluar të rrudhosë edhe gjykimin për futbollin. Sa herë që kemi dëgjuar për penalltitë që shkaktohen nga “ kontaktet e telekomanduara” , në fushë, më të shumtën e rasteve, si për koicidencë është Skënderbeu që perfiton dhe viktima është pala tjetër, siç ndodhi me shkodranët kësaj radhe.. Penalltitë që shkaktohen nga kontaktet “e elektrizuar” nga qëndra, janë pararoja e 11-metërshave që dhurohen në një garë, i cila mburret për rivalitet pa hile.. Pale kur kujton disa penallti që nuk jepen, ato që dëgjohet edhe tek shkallët e stadiumit britma e faullit , madje ka raste që shkelen edhe të drejtat e njeriut dhe dhimbja që shkakton gjykimi, të ndriçon idenë se kontakti nuk është në kokën e arbitrit, por në kokat komanduese. Atje ku akoma nuk janë velur duke shijuar menynë e lojës me kontakte të falsifikuara.
Gëzim Sinemati.