Në kohë fushash zgjedhore, të çfarëdo lloji qofshin, garuesit ia lejojnë vetes ekzagjerimet, madje nuk kujdesen as për përmasat, sikur përballë tyre të jenë një kope me naivë. Edhe futbolli nuk ka se si bëjë përjashtim, pasi poltroni i kreut të institucionit që drejton këtë sport paska aq shumë vlerë, saqë duhet mbrojtur me të gjitha mënyrat. Mjafton prezenca e Finos në fushatën për presidentin e FSHF-së dhe këto ditë kemi zbuluar pasionin e vërtetë të Dukës për futbollin. Si asnjëherë më parë, Federata e tij sajon nga një aktivitet çdo ditë, për të dhënë përshtypjen se funksionon në bazë të dashurisë dhe pasionit. Shpërndahen topa nëpër shkolla dhe shihen në ekrane televizionesh fëmijë që rendin pas tyre dhe të gjitha këto lloj spektaklesh mbreslënëse zhvillohen në sytë e presidentit karizmatik, i cili papritur nuk e ka më kohën e kufizuar, madje në të kundërt është prezent kudo.
Po këto ditë u gjet koha, që pas afërsisht dy vitesh, të hapet një ekspozitë me foto të Kombëtares tonë në Europianin e Francës dhe ku presidenti Duka ishte fokusuar në rolin e udhërëfyesit të atij rrugëtimi historik të Shqipërisë. Por kaq nuk kishte si të ishte e mjaftueshme, pasi lideri 16 vjeçar e gjen gjithmonë mënyrën për të na befasuar. Të gjithë e mbajnë mend De Biazin që kërkoi dorëheqjen nga kreu i pankinës së Kombëtares duke turfulluar, por 24 orë më pas seç ia prishën mendjen dhe u largua nga Tirana duke puthur me dashuri Dukën, madje i përlotur. Disa thonin që e tradhëtuar, për ta hequr qafe, por De Biazit i paskan bërë magji, pasi u kthye sërish për të parë ato fotot e publikuara me qindra herë dhe i kërkoi Asamblesë të votonin për Dukën, qoftë edhe për hir të aftësive të tij për të ta futur topin mes këmbëve.
Ndërsa aktiviteti i fundit për tani ishte diplomimi i arbitrave të rinj, duke përdorur terma si Akademi, për të krijuar imazhin e studimeve raskapitëse. Në fakt, thjeshtë janë emëruar disa të rinj, për të zëvendësuar të larguarit, për të cilët publiku nuk u sqarua kurrë, si dhe për të dërguar më rrallë në fushë, ata që kanë ngelur në klasë që kur kanë qenë në fillore. Tani le të shpresojmë se mund të kenë bërë diçka dhe jo të kenë ndërtuar një Akademi “vrasësish”, siç e kanë pasur profilin një pjesë e mirë e akademikëve të tanishëm.