FSHF nxorri sërish në shitje biletat online dhe sërish u krijua një situatë kaotike e aspak transparente në lidhje me procesin. Dyndja masive në faqen “e-bileta” i zhgënjeu shumë tifozë në kërkim të një vendi në “Air Albania” për duelin me Ishujt Faroe që me shumë mundësi do të jetë edhe nata e madhe festive për kualifikimin në Euro 2024.
Ajo që ra në sy ishte dyndja ku shumë njerëz mbetën në pritje por asnjëherë nuk u adresuan në faqen ku mund të blejnë ndërsa edhe ata që arritën të futen deri në paradhomën e përzgjedhjes së biletave, nuk arritën ta finalizonin procesin për shkak të problemeve të shumta që u krijuan. Po sikur të mos mjaftonte kjo, lajmi i madh në këtë mes janë çmimet e kripura për ndeshjen e fundit eleminatore. Si një market në kohën e “covid-it” kur njerëzit u dyndën drejt rafteve, edhe FSHF përfitoi nga situata duke vendosur çmime të çmendura për një ndeshje të tillë.
Ndoshta Ishujt Faroe asnjëherë më në historinë e tyre nuk do të luajnë në një stadium ku bileta mesatare kushton 70 ao 80 euro e këtë mundësi ia jep FSHF skuadrës modeste nga zemra e Atlantikut. Përtej gjithë këtyre problematikave, FSHF fshehu sërish edhe biletat e tribunës kryesore pa një justifikim të denjë duke privatizuar një pjesë të stadiumit siç po vepron rëndom që prej tre ndeshjesh. Në gjithë këtë mes, ata që kanë në telefon numrin e presidentit nuk kanë pse të shqetësohen, vetëm nëse ai vendos sërish të dalë “offline”.
Nga Pirro Bardhyli