A do të mund të përsëritet ajo që ndodhi atëherë? Kombëtarja shqiptare luajti një ndeshje epike ndaj Francës stërfavorite në ndeshjen e grupit në Euro 2016, duke humbur vetëm në minutat e fundit, ndërsa në 7 shtator do të jetë sërish përballë kampionëve të botës në Paris. Jo më me De Biazin, por tashmë me Edi Rejën, një personalitet jo më pak i madh, i cili padyshim që ka ambicie. Gjithsesi, në listën e lojtarëve të grumbulluar prej tij, duket qartë se ekipi është në fazë tranzicioni.
“Në skuadër ka ndryshime, pasi ka lojtarë të rinj që më parë nuk i njihja, por që kanë rënë në sy në ekipin Shpresa apo në kampionatet ku luajnë, ndaj dua t’i shikoj, – tha ai, – Është Manaj, Gjasula që fitoi vjet kampionatin dhe tani është titullar, me fizik të fortë. Do t’i shoh gjatë javës dhe do t’i vlerësoj. Binaku ishte në grup, por ishte i dëmtuar. Nuk i kam thirrur, por i kam si alternativa të para, Trashin që më ka bërë përshtypje të mirë, Seferin që po bie në sy. Pastaj janë Vrioni e Selahi, ndërsa Kumbulla këtë vit i ka bërë të gjitha ndeshjet dhe po luan titullar. Dua të shoh edhe Keidi Baren. Federata më ka kërkuar rezultate, por edhe të mendoj për të ardhmen”.
Pra, çfarë objektivi ka Shqipëria ndaj Francës? “Luajmë ndaj një kundërshtari me vlera shumë të mëdha, por në asnjë ndeshje rezultati nuk dihet që në fillim, – u shpreh me bindje italiani, – Ne shkojmë që ta vendosim Francën në vështirësi, do të përpiqemi të bëjmë maksimumin e mundshëm. Synimi ynë është të luajmë mirë, do të kërkojmë edhe rezultat pozitiv. Edhe në të kaluarën, ndaj Francës, Shqipëria ka bërë paraqitje të mira”.
Si pret Edi Reja që të luajë Franca, dhe sa rëndësi ka fakti që lojtari kryesor, Mbapé, mungon. “Francën e njohim, por varet se me çfarë sistemi do të luajë, – ishte përgjigja e tij, – Është e qartë që ne e vlerësojmë Francën si pak më të fortë se Shqipërinë, por gjithçka është për t’u parë. Mbape është lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, por Deshampit i mjafton të mbyllë sytë dhe të zgjedhë një lojtar, që do të jetë sërish i nivelit tepër të lartë, sepse janë të gjithë lojtarë me cilësi të madhe dhe përvojë ndërkombëtare. Gjithsesi, ne nuk do të kemi frikë, do t’i respektojmë, por jo të trembemi. E qartë, që duhet të kemi kujdes në mbrojtje, të mbyllim hapësirat dhe të mos u japim shans për kundërsulm”.
Shpesh ndodh që ekipet e vegjël i humbin ndeshje të tilla pa hyrë ende në fushë. Si mendon Reja ta motivojë dhe ta bindë ekipin? “Më vjen mirë për këtë pyetje, sepse po mendoja që kanë ndryshuar shumë gjëra që kur unë erdha këtu, – nisi shpjegimin ai, – Gjeta një skuadër jo në gjendje të mirë. Kemi punuar shumë dhe jam shumë i kënaqur. Lojtarët treguan se besojnë në punën e bërë dhe përparimet janë të rëndësishme. Lojtarët kanë treguar dashuri për fanelën dhe janë shumë të motivuar. Unë kam shumë shpresë nga kjo gjë, sepse kryesorja është që lojtarët të japin gjithçka, këtë kërkoj, pastaj rezultati i mirë apo i keq, del në plan të dytë”.
Gjithë vëmendja është tek dueli i 7 shtatorit në Francë, por Reja tërheq vëmendjen për ndeshjen me Islandën në fushën tonë, në 10 shtator. “Dueli direkt nuk është edhe aq me Francën, sesa me Islandën, ndeshje shumë e rëndësishme për ne, – vuri pikat mbi “i” trajneri, – Nëse do të fitonim me Islandën, do të ishim pretendentë për një pozicion të mirë në renditje. Grupi është i hapur dhe interesant. Për shembull, askush nuk priste që Turqia të fitonte me Francën. Pra, përse të mos mendojmë që edhe Shqipëria mund të shkojë në Francë për të marrë rezultat pozitiv”.
Kontrata e Rejës përfundon në nëntor. Do t’i pëlqente të vazhdontë? “Ne jemi të lidhur me rezultatet dhe paraqitjet në fushë, – tha italo-sloveni, – E qartë që unë do të doja të vazhdoja, por këtë duhet ta vlerësojë me kujdes Federata. Unë jam i kënaqur që kam gjetur një grup pune mjaft të mirë, sidomos presidentin Duka, për të cilin kam konsideratë të lartë sidomos nga ana morale. Unë nuk kam firmosur kurrë kontrata më të gjata se 1 vit, nëse ka akord, nëse shkohet mirë, unë kam qenë gjithnjë në dispozicion”.
Trajneri Italian është i shqetësuar për formën e lojtarëve, por ka edhe besim sepse mendon që ata kanë luajtur jo pak. Reja vlerësoi lart Migjen Bashën si njeri dhe si lojtar, dhe e falenderoi që ai i hapi rrugë të rinjve, ndërsa nxiti Federatën që ta mbajë pranë në të ardhmen.
Sfidanti.al