E bekuar Superliga! Nesër, ndalohet hyrja e Covidit 19 në ..stadiumet tona!

Ju kujtohen ato fëmijët e vegjël që janë gati të marrin pushkët prej druri për të shkuar në luftë? Edhe Superliga do të marrë “pushkën prej druri” më 3 qershor për të luftuar kundër koronavirusit! Nesër, çudia më e madhe, nuk do të jenë stadiumet e boshatisur ngaqë me ato pamje jemi familjarizuar prej kohësh,  por ..kurajo e ekzagjeruar  e një kampionati liliput për të filluar shpejt…se na iku disa xhirro para Bundesliga! Në fakt, cila është arsyeja që Superliga bën gjoja  sikur do të shkulë dhe  flokët nëse nuk do të fillonte nesër? Le të “përulemi” para deklaratës “monumentale”, të presidentit Duka ,vetëm dy ditë më parë, kur lëshoi një nga të vetat : “ Ishte insistimi i lojtarëve që na detyroi të rinisim kampionatin”. Për cilët lojtarë është fjala? Për ata që  do të dalin në fushë apo për “lojtarët e padukshëm”,  veti që e kanë patur të lindur, pa lindur Covidi.

Para epidemisë, futbolli ishte një mall me shumicë, që shitej  gati në çdo orë të ditëve të javës, kurse në ditët e epidemisë globale , malli futboll është shndërruar në një bizhu shumë të rrallë, saqë  kompanitë e basteve thonë se i ka marrë “uria e shekullit” . Dhe të nisësh kampionatin në këto momente,  ku Superliga është i vetmi kampionat që nuk dënjon as të  hap gojën për të futur tamponin,  meqë  “tamponin “ e kemi ndryshe, origjinal për llojin tonë , të cilin e  bëjmë prej gati 20 vitesh  me një efekt magjistarësh :  dukemi si të lumtur edhe kur jemi në pikë të hallit.

Ndaj, nesër më 3 qershor, kur të fillojnë të këndojnë bilbilat e Superligës,  Covidi mund të jetë kudo,  i padukshëm dhe djallëzor siç është ai, por jo ne stadiume, ku  do ta sfidojmë, do ta  injorojmë  në pozicion jashtë loje në  fushat tona që u spërkaten , aty  ku virusët lindin vetëm  me lejen e “laboratorit” zyrtar   dhe nuk hyjnë dot pa radhë..!

Sfidanti.al