Dy gjëra s’kanë fund: universi dhe përrallat kuqezi !

Dy gjëra nuk kanë fund : universi dhe ..përrallat kuqezi, të cilat tregohen si të vërteta por janë me të hedhur! Edhe pas ndeshjes me Islandën, trajneri Edi Reja u shfaq i kënaqur, si[ e do “zakoni” ynë, madje një frazë e tij zbulon se trajneri ynë me moshë të largët , ka shije krejt të kundërt me publikun që e ndjek. Pale kur thotë “nuk ishte ndeshje shumë brilante!” Sa më shumë dridhet e spërdridhet Kombëtarja, më shumë ndizet, driblon dhe zbukuron lojën “babaxhani” Reja. Dhe ku… tamam para mikrofonit.

Siç duken bathët ,“plakut kuqezi” ia kanë treguar me kohë formulën e shenjtë të Kombëtares sonë: para ndeshjes t’i shesim popullit të futbollit mallin e prishur, sikur fitoren e kemi në xhep, pas ndeshjes…në xhepat tanë ka mbetur vetëm një barazim me lojë të dëshpëruar! Skema është e vjetër, vetëm Reja është më i vjetër se ajo, edhe presidenti ynë, Duka, trajneri i trajnerëve te Kombetares, i vetbeson mrekullisë se edhe njerëzit e pushtetit kur vjetërsohen, bëhen edhe më të mirë, edhe pse më të panginjur …

…Po tek kjo ndeshja me Izraelin, ku do të flerë lepuri “kuqezi”? Sido që të shkojë, s’besojmë se mund ndodh “magjia e zezë”,si vite më parë, kur tamam si në një ndeshje keçi, në fillim na zhdëpi Izraeli në Tiranë me 3 gola dhe pastaj i vërsulemi ne të “zemëruar” me 3 gola në tokën e shenjtë. Bekuar qoftë ajo fitore, kur para ndeshjes kishim bërë dhe ritualin tek ..Muri i Lotëve!

Sfidanti.al