Duka i UEFA-s dhe Duka i FSHF-së, njëri të dënon kur s’luan, tjetri..kur luan!

Çfarë luksi i paparë dhe i padëgjuar për presidentin e një “oazi” futbolli që quhet.. FSHF ! Paska folur presidenti Duka në “Radio Kiss Kiss”, këtë herë jo si trajner kur kritikoi kapitenin Hysaj që me Napolin nuk bën gafa si me Kombëtaren, por si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFa-s, lidhur me ndeshjen Napoli-Az Alkmar. Fjalët e tij  kumbojnë si një “mrekulli” nëse do të dëgjoheshin nga gjithë shqiptarët e komunitetit të futbollit: “  Ndeshja e Ligës së Europës midis Napolit dhe Alkmarit nuk rrezikon të luhet , pavarësisht rasteve pozitive me coronavirus të klubit holandez. Rregullorja e thotë qartë, nëse klubi holandez  nuk udhëton drejt Napolit , e humbet ndeshjen në tavolinë…”

Në Europë e ka rregulloren, siç ka prifti biblën! Ky është versioni europian i presidentit Duka, që për të mbajtur gjallë futbollin përtej kufirit , kërcënimi i tij mbërrin deri në …Holandë! Duket si një patriot i madh futbolli që rrezikon edhe jetën(sigurisht të të tjerëve) ..vetëm e vetëm që futbolli të mos ndalet.  Po Duka i Shqipërisë, ai pa rregullore dhe pa bibël,  a ka lidhje “gjaku” me atë që në na përfaqëson në Europë? Këtej, nga dynjaja jonë, ku loja me maska është e vjetër sa dhe mosha e tij në fron, Duka ka shtypur butonin e bojkotit dhe futbollit këto ditë i kemi pirë kafenë e 40-tave.  Sipas presidentit tonë, i cila  ka gjetur lumturinë mediatike në mërgim,  tek radio Kiss Kiss në Itali , ngaqë në vendin e tij kanë filluar ta tradhëtojnë studiot, “kush nuk luan në Europë nga frika e  Pandemisë do të dënohet nga UEFA, kurse në Shqipëri, në vendin e tij, me bekimin e UEFA-s ..do të dënohet ai që kërkon të kthehet në fushë…”

Sfidanti.al