Dinamo e ka derrin brënda, por ishalla s’është ..derri maç !

Ç‘e ka gjetur Dinamon , nga e lavdishme që ishte, është bërë për t’i thënë ..Dinamo e shkretë! Vite më parë, në kohën e dinamovitëve të vërtetë, Dinamo fliste më pak se të tjerët , nuk i binte gjoksit se do të dilte kampion dhe në fund kurrorëzohej ! Kjo Dinamo e sotme, vjen poshtë nga “zgafelli”, heq spinën e kujtesës, e injoron faktin që s’ishte prej gati një dekade në futbollin e “madh”, zapton mikrofonin dhe premton atë që s’premtohej me anë të trajnerit Shkëmbi :

“Do të shpallemi kampion!” Dhe po të shikosh se çfarë po heq Dinamo, që kur u tha kjo blasfemi, të duket sikur nga gjithë të këqiat që kanë rënë mbi “blutë” këtë sezon, po të mos ishin thënë këto fjalë, fati do të ishte disi ndryshe…

Çfarë është titulluar për Dinamon? Trafiku i titujve diagnostikues shtohet çdo javë: “ Nëndetsja fut ujë të bollshëm ” , “ Blutë e sotëm vetëm fanelën kanë të Dinamos”, “ Si mund të quhet Dinamo? Apo ngaqë janë 11 vetë”, apo thënia e Demollarit : “ Unë prisja Dinamon, por këta janë amatorë!” ose “Dinamo po ecën me sukses nga humbja në humbje”. Mirëpo kjo e fundit e Farruk Sejdinit, ( dhe asistin ia dha trajneri Devolli kur tha se kemi qimen e derrit) duket sikur është titulli më i gjetur : “Dinamo e ka derrin brënda”. Një frazë tipike “alla xhaxhi” , plot me shpoti, filozofi dhe shumë vërtetësi për një ekip që “ ka derrin brënda”, por me lutjen e madhe tek Zoti….ishalla nuk është derri maç! Që do të thotë të kthehen ku ishin…

Sfidanti.al