Derbi (nesër) në “ditën e berberëve” : shkule stolin po ta mbajti!

Kur Derbi luhet ditën e hënë, thuhet me humor se ndeshja e vitit ka kapërcyer në ditën e “berberëve”. E diela ka qënë dita e shenjtë e futbollit, para se të mbretëronin kompanitë e basteve,( kur të gjitha ditët u bënë të diela!) kurse dita e hënë ..qetheshin humbësit. Por, ky derbi i nesërm, Partizani- Tirana, ka një lidhje “gjaku” me berberët : FSHF e qeth derbin për nga përqindja e biletave që kullufit… kur luhet në “Air Albania”…

Qoftë e dielë, qoftë e hënë, pyetja derbiane nuk vdes kurrë : Partizani apo Tirana do ta fitojë derbin? Barazimi është i ndaluar, madje i mallkuar në Derbi, sepse duhet një fitues që të ketë kuptim ..tymnaja që shkakton kjo ndeshje. Një ndeshje që fillon me një “revolucion të vonuar” : biletat do të jenë të personalizuara , pra me emër personi, dhe nëse një stol do të shkulet nga vandalët , çmimi që do të paguhet është 100 euro! Sipas këtij çmimi, slogani zyrtar mund të jetë: shkule stolin.. po ta mbajti!
Sa mirë do të ishte të besonin se nga nesër, Derbi mund të thyejë koka, por jo më ..stola. Derbi mund të të verbojë më fishekzjarre dhe me tymnajë dhe nuk ka gjobë për ruajtjen e syve të ballit, sepse ka gjoba vetëm për ata që cënojnë të..ndenjurat! Imagjino ç‘ndodh, prej vitesh kemi zbatuar dënime kolektive për tifozeritë,kemi zbrazur stadiumet, edhe pse fajin e kishte një individ dhunues ose grup ,që nuk i gjenim dot, tani, për stolat, nuk shpëton askush, le futet po të dojë dhe në vrimën e miut…

Sfidanti.al