De Biazi i shtrëngon lakun Panuçit, por nuk i tregon “gralin” kuqezi..

Edhe në futboll ka fantazma, por disa nuk i komandon dot, shfaqen pa leje, kurse disa të tjera dalin si për t’i dhënë jetë një premtimi. Thonë, sipas gojëdhënës zyrtare, ditën që janë ndarë presidenti Duka me trajnerin De Biazi, nuk ka qënë si ato monotonet me trajnerët e tjerë. Dhe kjo besohet kokë e këmbë, sepse një binom i krijuar me më shumë intrigë se sa dashuri, s’mund të kishte një fund dosido si me të tjerët. Presidenti i paska thënë trajnerit disa fjalë, të cilat marrin vlerë shpjeguese: “ Xhani ti do ikësh, por valixhen nuk do ta marrësh me vete”. Jemi mësuar që të mos e besojmë presidentin, ndofta edhe për meritë të tij ngaqë zotëron talent për të dribluar të vërtetën, veç kjo fraza me Xhanin, nëse është e bardha mbi të zezë, le ta fusim në kornizë. De Biazi, krejt ndryshe nga profesor Bariç, nga mjeshtri i ndjerë Kuzhe , apo edhe nga popullori Brigell, nuk i ndahet ekipit të tij me fjalë dhe me vepra.. Paska qënë si një “lojë armene” fakti që në fillim iku dhe na la pas fotot e mëdha të reklamës, ku italiani i fshinte lotët shqiptarëve, por më pas ‘fantazma” u shfaq e gjallë.

Në këto momente, po të bëhej një reklamë tjetër, do të ishim ne duke i fshirë lotët ish-trajnerit, “fantazmës” që bëhet e gjallë prej ftesave që merr për çdo ndeshje, pa patur frikë se prezenca e tij mund të kuptohet si shenjë amorale, si gjest pabesie ndaj kolegut Panuçi. Po kur në mes të dy italianëve është një shqiptar me talent të spikatur për manovrimet në bursën e prapaskenës, kuptohet edhe më qartë pse Panuçi rebelon vetëm përballë gazetarëve . Duket sikur Panuçi mban “shënime” kur ndër të parët që komenton shortin ishtë Xhani ‘fantazma” që lëshon bombën tymuese se ..Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar. Dhe nuk thotë dot se sekreti i kualifikimit është brenda në ..valixhen e tij.

G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport