Sot në orën 12-te, FSHF ka njoftuar publikimin e listës së Kombëtares për miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Pas shumë muajve hamendësime, emrave që hynin e dilnin nga lista, Brojën, Manajn, Uzunin apo emra të tjerë që trokisnin nga dera kryesore dhe largoheshin nga ajo e pasme javë pas jave, tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës dhe në mars mund ta konsiderojmë një dasëm të madhe ku të gjithë mund të mbeten të kënaqur sepse listat janë aq të gjera sa mund të plotësojmë edhe dëshirën e ndonjë “talenti” të Superiores edhe pse të tillë e kemi të vështirë të evidentojmë.
Bekuar muaji i Kombëtares sepse më në fund do t’i japim fund torturës së emrave që do të besojë Sylvinho por mbi të gjitha do të na largojë për disa ditë nga letargjia dhe rutina e një kampionati që ka humbur entuziazmin. Shqipëria është ndoshta një nga të paktat vende ku futbolli luhet nga halli për të hequr qafe sa më shpejt javët deri te e 36-ta për t’i hapur derën më pas finales katërshe që sipas FSHF-së, do të jetë “Liga Shqiptare e Kampioneve”. Me mbylljen e fazës së tretë, zvarrë zvarrë po shtyhet fundi i këtij sezoni të rregullt dhe për ta shtyrë poshtë ushqimin e prishur që po na serviret, Kombëtarja mund të konsiderohet si ajo gota e ujit që na ndihmon ta kalojmë poshtë me vështirësi këtë “çorbë”.
Nga Pirro Bardhyli