Në përfundim të ndeshjes së humbur me Teutën, trajneri i Tiranës Ardian Mema, tha gjatë analizës së tij edhe një fjali. “Nuk e di se çfarë pati arbitri me Tiranën”. Ardi prej disa kohësh ishte larguar nga klubi dhe ndoshta nuk e ka parë me sytë e tij sesi emri më i madh i futbollit shqiptar u katandis, pak nga pak, në “lagje periferike”, ndaj të cilës arbitrat bëjnë ndere dhe eksperimente.
Asnjëherë Tirana nuk ka qenë kaq larg qendrës së pushtetit dhe, në (sidomos) Shqipëri, ku futbolli përcaktohet më shumë përpara se gjatë ndeshjeve, kjo është fatale.
Gjithsesi, ish-lojtari i famshëm bardheblu, nuk ka përballë vetëm arbitrat, por edhe vetë klubin e tij. Tirana është ndërtuar gjithashtu, më shumë për të bërë ndere, sesa për të qenë një institucion i mirëfilltë futbolli. Një mbiemër me mjaft kuptim të bën më shumë punë sesa një CV profesioniste. Mëkat për klubin 24 herë kampion të Shqipërisë, dhe që për standardet e këtij vendi, nuk i mungon asgjë në infrastrukturë.
Sfidanti.al