Një ultimatum i vërtetë mediatik për Zhoze Murinjon që Mançester Junajtid ta fitojë titullin kampion. Analistë të ndryshëm kanë deklaruar se trajneri portugez nuk mund të ketë justifikime pasi shpenzoi 400 milionë stërlina (mbi 450 milionë euro) që nga vera e kaluar, për të forcuar skuadrën sipas dëshirave të tij. Me suksesin e Junajtidit në ndeshjen e parë të sezonit në Premier, duket sikur ai dha një përgjigje: Po, do ta fitoj titullin.
Suksesi 4-0 ndaj Uest Hemit, arritur në “Old Traford” kujtoi kohët e Sër Aleks Fergusonit, apo epokën që Murinjo ishte në “timonin” e Çelsit të Drogbasë, Territ e Lampardit. Mbi 76 000 tifozë në stadiumin e u lumturuan edhe nga suksesi (që e nxjerr në vend të parë ekipin e tyre pas javës së parë), por edhe nga fakti se blerja prej 86 milionë eurosh, Romelu Lukaku, bëri debutim ëndrrash në Premier. Sulmuesi belg realizoi dy golat e parë, ndërsa më pas ishte radha e sulmuesit tjetër, Antoni Marsial, si dhe e mesfushorit francez, Pol Pogba.
Sfidanti.al