Zëvendësimi i Alabës solli golin e Realit, por mund të kishte sjellë … sherrin!

Ishte minuta e 74-ët dhe Karlo Ançeloti vendosi të bënte një ndryshim. Trajneri italian kishte bërë gati David Alabën i cili duhej të zinte vendin e Ferlan Mendisë në mbrojtje, ndërsa mendimi i teknikut të Realit ishte më shumë për sulmin. Ndërsa përgatiteshin procedurat e zëvendësimit, Alaba kërkoi që të hynte shpejt në fushë, ndërsa madrilenët kishin fituar të drejtën për një goditje dënimi pranë portës. “Dua të hyj shpejt dhe ta gjuaj”, – i tha austriaku, Ançelotit. Trajneri e tregoi episodin më pas me të qeshur, duke thënë se “goditjen e dënimit duhej ta gjuanin Benzema ose Toni (Kros), por Alaba hyri dhe shkoi që ta gjuante, ndaj pata frikë se do të kishte ndonjë zënkë”. Mbrojtësi austriak ekzekuton shumë mirë goditjet standarde dhe menjëherë shënoi golin e fitores 2-1 në fushën e Almerias në 75’, vetëm pak sekonda pas aktivizimit.

Sfidanti.al