Ymtiti, Pike, Sergi Roberto, Barça sërish me dhimbje koke

Verën e kaluar humbi Nejmarin edhe pse fitoi 222 milionë euro. Barcelona nuk dëshiron të përsëritet e njëjta situatë me ndonjë lojtar tjetër, duke u gjendur në “shah-mat”, por blerja e Van Dajkut nga Liverpuli krijoi frikë të madhe në “Kamp Nou”. Jurgen Klop nuk ngurroi të paguante 85 milionë euro për kartonin e mbrojtësit holandez, dhe Liverpuli nuk ka qenë ndër klubet me shpenzimet më “faraonike” në botë.

Për fat të keq, Samuel Ymtiti, mbrojtësi normalisht më i mirë që kanë katalanasit, ka klauzolë transferimi vetëm 60 milionë euro, ndërsa u mor nga Lioni për 25 milionë euro. Presidenti Bartomeu ka urdhëruar të nisin urgjent bisedimet me përfaqësuesit e francezit për një kontratë të re, dhe për një klauzolë të re, të paktën 100 milionë euro.

Kontrata të reja duhen edhe për Gerard Pikenë dhe Sergi Roberton. Për të parin nuk besohet të ketë shumë probleme, pasi Pike është katalanas 100 për qind dhe vështirë ta braktisë ekipin. Gjithsesi, akordi i tij përfundon në 2019 dhe duhet një i ri. Sergi Roberto, ndërkaq, ende nuk ka rënë dakord me klubin. Kjo do të jetë kontrata e tij e parë e rëndësishme, dhe për momentin ai merr rrogë më të vogël sesa mesatarja e Barcelonës.

Sfidanti.al