Vrioni ka një “kunj” për Rejën kur pyetet për golat e tij me kombëtaren

E mbylli sezonin me klubin dhe tani i erdhi radha kombëtares. Xhakomo Vrioni vjen në Shqipëri që nga Austria, si Këpuca e Artë e Bundesligës, duke shënuar 19 gola e duke thyer rekordin shqiptar në këtë kampionat, që e mbante Hamdi Salihi me 18 rrjeta. Në konferencën për shtyp para ndeshjeve të Ligës së Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit, Vrioni pyetet nëse dëshiron t’i kalojë edhe 11 golat e shkodranit në kombëtare. “Nëse do të më jepet mundësia, pse jo, – tha ai, – ne jemi sulmues dhe synojmë të shënojmë gola. Gjithsesi, unë kam detyrë që të punoj sa më mirë, vij nga një sezon mjaft pozitiv, por gjithsesi për aktivizimin e lojtarëve vendos trajneri”. Një “kunj” i Vrionit për Edi Rejën, ndërsa sulmuesi në pronësi të Juventusit fitoi Këpucën e Artë në Austri duke lënë pas sulmuesin e ri të Dortmundit, Adejemi. E qartë që Reja është në pozicionin “kujt t’ia prish, e kujt t’ia ndreq”, ndërsa në sulmin kuqezi janë Vrioni, Uzuni, Broja, Cikalleshi, Manaj dhe Balaj. Kombëtarja luan në 6 qershor në fushën e Islandës dhe në 10 qershor pret Izraelin në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al