Dikur njerëzit gënjeheshin nga të ashtuquajturit prestigjiatorë, magjistarë, njerëz të filxhanit apo klerikë të ndryshëm që, nën rrobën e pafajshme fshihnin qëllimin për t’u pasuruar me paditurinë e të tjerëve. Sot është pak më ndryshe, nuk ka nevojë të fshihesh, të të vijë turp, apo të rrezikosh dënimin, përveçse disa orë, apo disa ditë izolimi mes gjithë të mirave, siç e tregon historia e modeles amerikane, Kinslej Volanski.
Vajza 23-vjeçare fitoi 4 milionë USD vetëm për një “çlirim nga zinxhirët” që përfundoi me daljen e saj (thuajse) të zhveshur në fushën e stadiumit “Uanda Metropolitano” të Madridit, në finalen e Championsit, Liverpul-Totenhem. Plani në qershor doli me sukses, por jo në korrik, pasi Kinslej dhe i dashuri i saj, Vitali Zdoroveckij, u ndaluan nga rojet e sigurisë në stadiumin “Marakana” gjatë finales së Kupës së Amerikës, Brazil-Peru.
Ajo vetë e njoftoi aventurën e dështuar, duke përgëzuar autoritetet, por duke theksuar se ishte kënaqur shumë me përpjekjen çamarroke. E pra, Kinslej Volanski nuk është aspak një jashtëtokësore, një “Aliene” e ardhur nga botë të tjera, por prodhim i kësaj bote, dhe i paditurisë së saj, gjë që e bën të tërhiqet nga spektaklet e zbrazëta, duke u kthyer herë-herë në një “panair të kotësive”.
Nuk ka asnjë zili që një vajzë 23-vjeçare dhe një djalë i harbuar të fitojnë 4 milionë USD në vetëm 5 minuta, por ka zemërim që kjo quhet normale kur miliona njerëz nuk kanë as 5 dollarë në ditë, ndonëse kanë nevojë për më shumë që, ata dhe familjet e tyre, të jetojnë me dinjitet. Pra, këtyre të paditurve, më mirë t’ua taksosh ato para sesa t’i lejosh t’i shpenzojnë më kot, ndërsa nevojtarët mbeten nevojtarë.
Sfidanti.al