Po mbushen dalë nga dalë 30 vjet nga ajo ditë. Në 31 tetor 1984 kombëtarja shqiptare shkoi të luante një nga ndeshjet më të vështira dhe që mbeti si një nga më të mëdhatë në historinë e saj, në fushën e Polonisë që përfundoi 2-2. Ishte Polonia që kishte dalë e treta në botë në Botërorin 1982 në Spanjë, me yje të tillë si Bonjek, Zhmuda, Smolarek, Xhekanovski apo Buda.
Në drejtimin e ekipit të trajnerit Shyqyri Rreli ishte shefi i delegacionit, Sokol Morina. Ky i fundit, pasi refuzoi që lojtarët të nisnin “shopingun” në tranzitin e Beogradit, mbajti një qendrim të fortë në banketin e shtruar nga polakët. “Ne kemi ardhur për fitore, – tha ai përkundër pretendimeve të tyre për sukses me shumë gola, – nëse do të kishte qenë për të humbur thellë, më mirë të mos kishim ardhur këtu, kishim marrë një raport dhe kishim humbur 0-3 në tavolinë”.
Morina e ftoi ekipin që të bënte lojën e tij, të mos impresionohej nga Polonia dhe as nga rezultati. “Ju luani futboll, sepse kur pësoni gol ju bini moralisht, – i tha ai, – kjo nuk duhet të ndodhë”. Kjo, bashkë me kontributin e lojtarëve dhe përgatitjen e trajnerit Rreli bëri që Shqipëria të luante një nga ndeshjet më të mira në historinë e saj, në një barazim 2-2. Bedri Omuri dhe Agustin Kola shënuan golat që përmbysën rezultatin në 2-1 pas pushimit, dhe vetëm një gabim në fund ndihmoi polakët që të barazonin. Morina u tha disa fjalë lojtarëve pas ndeshjes. “Keni luajtur një nga ndeshjet më të mira të të gjitha kohëve dhe po ua thotë dikush që e ka ndjekur kombëtaren që nga viti 1946, – u shpreh ai, – nuk luajta unë, luajtët ju. E shikoni që mund t’ia dilni edhe me më të fortët. Kjo është garë, mos u dorëzoni”.
Gjithsesi, Shqipëria nuk ka ndonjë bilanc pozitiv me Poloninë, me përjashtim të fitores 2-0 në 1953 dhe barazimit 2-2 në 1984. Polakët kanë arritur 7 fitore dhe 3 barazime, por gjithsesi kjo nuk do të thotë se ekipi i sotëm i udhëhequr nga Levandovski e ka të sigurt që do të fitojë.
Sfidanti.al