Krisje totale në marrëdhënien mes Vinicius dhe Real Madrid. Tifozët në “Santiago Bernabeu” e vërshëllejnë brazilianin, ai reagon duke hequr fanellën e bardhë nga fotoja e profilit të rrjeteve sociale. Duhej të ishte një mbrëmje si gjithë të tjerat, por mund të rezultojë vendimtare në historinë midis Vinicius dhe Real Madrid. “Santiago Bernabeu”, që shpesh e ka mbrojtur, këtë herë ka dhënë sentencën: publiku e ka kontestuar, duke ngritur një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e sulmuesit.
Në minutën e 83-të të ndeshjes së fundit, kur braziliani u zëvendësua, tifozët e vërshëllyen të gjithë. Vinicius, kapiten në mungesë të Carvajal dhe Valverde, përshkoi gjithë fushën për t’ia dorëzuar shiritin Courtois, i shoqëruar nga këto vërshëllima. Arsyet e zemërimit janë të shumta. Ka nga ata që nuk ia flain “agjërimin” e golit prej 17 ndeshjesh. Ka të tjerë që e kritikojnë sjelljen, si dhe nga ata që nuk e harrojnë imazhin e tij duke qeshur në stol pas humbjes në Kupën e Mbretit. Vinicius nuk reagoi, shkëmbeu vetëm një përqafim me trajnerin Xabi Alonso.
Reagimi ishte vetëm “digjital”, duke ushqyer zërat e lamtumirës. Vinicius ka ndryshuar imazhin e profilit Instagram, ka hequr fanellën e Real Madrid dhe e ka zëvendësuar me atë të Brazilit. Ai ka bërë edhe një postim me shiritin e kapitenit, të shoqëruar me tri pika. Episodi i fundit nuk ishte vetëm mbyllja e një viti të komplikuar, mund të jetë edhe mbyllja e aventurës së tij madrilene.
Sfidanti.al

