Kishte kohë që teutonët nuk jepnin kaq shumë shpresë, edhe pse fitorja e fundit në eleminatoret e Kupës së Botës ishte tepër e vështirë. Gjermania e trajnerit Hansi Flik fitoi me shumë zor 2-1 ndaj Rumanisë, por kjo u arrit me përmbysje dhe ishte vazhdimi i sukseseve nën drejtimin e ish-teknikut të Bajernit. Një njeri me autoritet të madh, dhe që u duk sikur i bëri magji Bajernit gjatë drejtimit të tij, jep shpresë se Gjermania do të jetë sërish e madhe si dikur. Edhe pse nuk ka parullën e Trampit “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, Fliku është i vendosur për t’ia dalë.
Ai hodhi në kosh “tiki takën” e Lëvit, që aq shumë u vlerësua në 2014, dhe zbatoi një stil më direkt drejt, më të pamëshirshëm. Shpejtësi veprimi, ndershmëri dhe komunikim direkt me lojtarët e tij, po ashtu këshillim me të 18 trajnerët e Bundesligës. Këto janë parimet e Flikut, ndërsa “pasaporta” është ajo e trofeve me Bajernin në 18 muaj, 2 Bundesliga, 1 Champions, 1 Kupë të Gjermanisë, 1 Superkupë të Gjermanisë, 1 Superkupë të Europës, 1 Kupë të Botës për klubet. Edhe boshti i ekipit është ai i Bajernit. Ndaj Rumanisë, golit të Ianis Haxhit, djalit të legjendës George Haxhi, iu përgjigjën Serg Gnabri dhe Tomas Myler.
Sfidanti.al