Laporta shpresonte që Mesi të luante falas, në fakt duhej të kishte lexuar … Marksin!

Presidenti i Barcelonës tha diçka që shumëkush e ka menduar dhe imagjinuar, ndërsa dha një intervistë për Radion katalanase RAC1. Zhoan Laporta theksoi se shpresoi deri në fund që Lionel Mesi të pranonte të luante për ekipin e vetëm të jetës së tij pa u paguar asnjë euro, ndonëse shtoi se ai vetë nuk ia bëri ish-kapitenit këtë propozim. “Shpresova deri në fund që ai të rrinte me ne pa u paguar, por ai do të ishte dëmshpërblyer kur gjendja financiare të përmirësohej, – tha Laporta, – mendova se mund ta kishte bërë sepse ai ishte pjesë e Barcelonës që fëmijë, unë e ndihmova shumë familjen e tij. Gjithsesi, unë nuk zemërohem me Mesin sepse unë e vlerësoj shumë lart atë”.

Gjithsesi, në këtë sistem ku ne (ende) jetojmë, dhe ku paraja më së shumti e zotëron njeriun, dhe njeriu shumë pak e përballon joshjen e saj, Laporta do të kishte bërë mirë të kishte lexuar një postulat të madh të Karl Marksit për epokën e fitimit: “Kjo është koha kur edhe gjërat që më parë jepeshin, por kurrë nuk shkëmbeheshin, dhuroheshin, por kurrë nuk shiteshin, fitoheshin, por kurrë nuk bliheshin – virtyti, dashuria, bindja, dija, ndërgjegjja etj. – kur më në fund, çdo gjë u bë objekt tregtie. Kjo është koha e korrupsionit të përgjithshëm, kur çdo gjë shitet …!

Sfidanti.al