Frenk Lampard ishte i bindur dhe nuk i kurseu aspak duke i hedhur në fushë që nga minuta e parë. Timo Verner e Kai Haverc ishin titullarë për Çelsin që fitoi, veçse golat u shënuan nga të tjerët. Përfundoi 3-1 ndeshja e Premier Ligës në fushën e Brajtonit dhe Verneri ishte i vlefshëm sepse fitoi penalltinë e golit të parë të shënuar nga Zhorzhinjo. Më pas, papritur Brajtoni barazoi me anë të Trosarit, që shfrytëzoi një gabim të portierit Kepa, por Blutë e Londrës nuk deshën të pranonin dështimin. Risi Xhejms dhe Kurt Zuma ishin autorët e golave në 10 minuta diferencë me njëri-tjetrin. Pra, Verneri e Haverci nuk shënuan, por trajneri Lampard nuk u mërzit.
“Duhet të ngushtojmë diferencën me Liverpulin, – tha ai, – ne duam të jemi në krye, edhe pse nuk është e lehtë. Ne jemi ende prapa dhe do të arrihet hap pas hapi. Nuk ishte ndeshje e lehtë për Havercin, por ai tregoi në momente të caktuara se çfarë talenti ka. Verneri më pëlqeu sepse sulmon hapësirat, luan pa top dhe ka uri të pashuar për të shënuar gola. Sa për portierin, jam i kënaqur dhe Kepa është portieri ynë”.
Sfidanti.al