Venger tregon gabimin që i kushtoi Arsenalit vendin në Champions

Arsen Venger kurrë nuk ka qenë një trajner që ka pranuar gabime apo e ka pasur të lehtë të marrë humbjet. Janë të famshëm debatet e tij me Sër Aleks Fergusonin dhe me Zhoze Murinjon, po ashtu akuzat për gjyqtarët apo fjalët për mungesë fati, aq sa ndonjëherë është quajtur “qaraman”. Gjithsesi, disa muaj pas periudhës më të vështirë në stolin e Arsenalit, trajneri francez pranon se ka gabuar dhe se gabimi i tij solli pasoja thuajse katastrofike për skuadrën.

“Unë krijova mungesë qartësie, – tha ai, duke iu referuar vonesës për të deklaruar të ardhmen, – unë pata një ndikim në atë që ndodhi, sepse lojtarët vinin e më pyesnin se çdo të bëja, dhe ku do të isha sezonin tjetër. U tregova i pavendosur dhe nuk ka gjë më të keqe sesa kjo në një skuadër futbolli”.

“Nëse nuk je 100 për qind aty, nëse lojtarët nuk kanë siguri për atë që do të ndodhë, është e vështirë t’i motivosh që ata të dalin në fushë për të fituar”, – theksoi Venger në mbrëmjen e Shoqatës së Gazetarëve të Futbollit, mbrëmje që u organizua për të mbledhur të ardhura në ndihmë të familjeve të viktimave të zjarrit në Kullën “Grenfell”. Venger pohon fajin dhe kjo bëri që Arsenali të mos jetë në Champions pas 20 vjetësh.

Sfidanti.al