Vazhdon ringjallja e Man. Junajtidit të Ten Hagut, 4 fitore radhazi!

Kjo ndaj Arsenalit nuk ishte më e bukura e mundshme, dhe përgjithësisht “djajtë e kuq” nuk është se kanë shkëlqyer me lojë. Gjithsesi, për një ekip që ka 9 vjet pa provuar titullin kampion duket se më shumë rëndësi kanë fitoret sesa mënyra sesi arrihen ato, pasi fillimisht duhet të kthehet besimi. Mançester Junajtidi padyshim që do të ketë moral më të lartë pasi mundi 3-1 “topçinjtë” në “Old Traford”, dhe në ekip vazhdon të duket dora e trajnerit Erik Ten Hag. Holandezi po e tregon veten të denjë për të qenë pasardhës (i largët) i Sër Aleks Fergusonit, duke vendosur autoritetin e tij mbi lojtarë të rëndësishëm si Ronaldo, De Gea, Megajer, Bruno Fernandes apo të tjerë. Ndoshta edhe largimi i Pol Pogbasë, dhe ardhja e Antonios, Sanços, Martinezit apo Kasemiros ka bërë punë, por sidomos meritë e trajnerit është ringjallja e Markus Rashfordit. Sulmuesi i Anglisë shënoi 2 gola ndaj Arsenalit, ndërsa njërin e realizoi debutuesi Antoni, për të cilin u paguan gati 100 milionë euro tek Ajaksi. Londinezët mbajtën më shumë topin, 60 për qind, patën më shumë gjuajtje (11-8) e më shumë goditje nga këndi (5-2), por Junajtidi u tregua më i shkathët dhe i vendosur në lojën vertikale. Tashmë janë 4 fitore radhazi, me ekipin që ka 12 pikë, vetëm 3 pikë larg Arsenalit kryesues, e dy pikë larg Man. Sitit e Totenhemit.

Sfidanti.al