Vanoli vazhdon refrenin tek Dinamo: Loja ishte e mirë, mungoi rezultati

Kjo nuk ndihmon për mbijetesën dhe vetë trajneri italian e kupton shumë mirë, si dhe e thekson. Rodolfo Vanoli nuk është një njeri pa eksperiencë në profesion, por edhe ai e ka të vështirë të ndryshojë kursin e një “nëndetëseje” që po shkon drejt “mbytjes”, siç është Dinamo. Situata tek blutë është bërë tepër e rrezikshme, shumë e vështirë, me moralin përtokë dhe presionin shumë të madh, aq sa edhe trajner me përvojë në Shqipëri si Gjoka apo Duro do të druheshin ta merrnin drejtimin. Në të vërtetë, Dinamo nuk luajti keq ndaj Tiranës në derbin e Superligës, por fakti është që rivalët për mbijetesën, Kastrioti dhe Egnatia, fituan, ndërsa “nëndetësja” humbi. Italianit nuk i mbeti tjetër veçse të vazhdonte refrenin e njohur. “Kjo është një humbje që na mërzit shumë vetëm për renditjen, – tha ai, – Kjo sepse skuadra luajti për fitore dhe për asgjë tjetër. Kush e pa këtë ndeshje kuptoi se Dinamo nuk është ekip për vendin e fundit. Dua t’i bëj një përgëzim djemve të mi, por tani na takon që të fitojmë pikë që të na ndihmojnë në klasifikim në mënyrë që të shpëtojmë. Paraqitjet vlejnë kur shoqërohen me pikë. Ne bëmë paraqitjen, por pikët i morën të tjerët”. Dinamo është e parafundit me vetëm 23, edhe pse shpresat mbeten për të mbërritur të paktën vendin e tretë nga fundi.

Sfidanti.al