Shkëlqimin që e nisi sezonin e kaluar në Kroaci, po e vazhdon madje edhe më të madh në Europë. Myrto Uzuni provoi një lumturi të madhe që në javët e para të karrierës së tij tek Ferencvaroshi në Hungari, duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Sukses i madh për sulmuesin beratas, që ishte një nga më të mirët për klubin e shquar, me dy gola shënuar ndaj Dinamos së Zagrebit dhe Moldes së Norvegjisë. Barazimi 0-0 në Budapest ndaj Moldes, pas barazimit 3-3 jashtë fushe, ishte rezultati që e kualifikoi Ferencvaroshin për në Champions. Uzuni ishte sërish titullar në ekipin e drejtuar nga ish-ylli i sulmit të Ukrainës, Serhij Rebrov. Klubi i kryeqytetit hungarez dhe tifozët e tij të zjarrtë e prisnin këtë rikthim që nga dhjetori 1995, pra që prej 25 vjetësh, kur mbyllën aventurën në grupet e asaj kohe, ku u ndodhën përballë gjigandëve të tillë si Ajaksi kampion i Europës apo Reali i Madridit.
Sfidanti.al