Oleksandr Usyk sapo ka rikthyer të gjithë titujt botërorë në peshat e rënda me një nokaut spektakolar ndaj Daniel Dubois në raundin e pestë, por pas ndeshjes, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te triumfi i tij. Në ring, kampioni i pamposhtur u përball me një figurë të papritur: Jake Paul.
Influenceri i kthyer në boksier, i cili aktualisht renditet i 14-ti në kategorinë “cruiserweight” nga WBA, është sërish në qendër të vëmendjes pas fitores ndaj Julio Cesar Chavez Jr. Tani, ai ka hedhur një sfidë të re: një përballje në MMA me Oleksandr Usyk.
Gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes, Usyk u pyet nga gazetarët ukrainas për mundësinë e këtij dueli të pazakontë. Në një koment të shkurtër në anglisht, ai tha: “Po, jam gati, por më duhet të pushoj.” Ai shmangu emra të mundshëm për sfidën e radhës, përfshirë Joseph Parker apo një trilogji me Tyson Fury.
Nga ana tjetër, Jake Paul, i cili është bashkëpronar i organizatës MMA PFL, publikoi videon e përballjes me Usyk në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me mesazhin: “Urime njërit prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërve @usykaa për këtë fitore të madhe. Tani, le të bëjmë një ndeshje MMA për botën.” Postimi u shpërnda edhe nga vetë Usyk.
Edhe pse përballja dukej fillimisht si një moment i organizuar për kamera, deklaratat e të dyve lënë hapësirë për një duel të vërtetë në të ardhmen, ndoshta përballja më e pazakontë që mund të shohim në sportet luftarake. Tani mbetet për t’u parë nëse kampioni i madh ukrainas do të zbresë në kafaz përballë një ‘ylli’ të rrjeteve sociale.
sfidanti.al