Vettel e ka mbyllur me Formula 1

Sebastian Vettel, kampion katër herë i botës në Formula 1, ka pranuar se një rikthim si pilot në këtë kategori nuk është më i mundur. Pas largimit nga F1 në fund të sezonit 2022, pas dy vitesh me Aston Martin, gjermani ka pranuar se kapitulli i F1 është i mbyllur.

Në një intervistë për Auto Motor und Sport, Vettel u shpreh qartë:

Formula 1 ka përfunduar për mua. Në një moment, vjen koha për t’ua lënë vendin të tjerëve. E sheh këtë me të rinjtë që po vijnë. Nuk është një votë kundër pilotëve më të vjetër, por në favor të brezit të ri.”

“Vettel u bë i famshëm në fillim të viteve 2010, duke fituar katër tituj radhazi me Red Bullin, përpara se të transferohej te Ferrari, ku shtoi edhe 14 fitore të tjera në karrierën e tij. Pavarësisht thashethemeve të mëparshme për një rikthim të mundshëm, ai tani pranon se nuk e sheh më veten në një makinë F1.

Megjithatë, 38-vjeçari nuk e ka përjashtuar garimin në kategori të tjera, veçanërisht në World Endurance Championship (WEC) dhe garën ikonike 24 Orë të Le Mans-it.

“Nuk dua ta përjashtoj mundësinë që diçka të ndodhë. Kanë pasur disa bisedime, por deri më tani nuk ka ardhur asgjë konkrete,” tha Vettel.

“Më parë, nuk isha shumë i interesuar për garat e qëndrueshmërisë, isha më shumë tip vetmitar. Sot e shoh ndryshe. Më duket shumë emocionuese ideja e një strukture skuadre, ndarjes së makinës dhe nevojës për kompromis.”

Vettel ka marrë pjesë vetëm në Race of Champions që nga tërheqja, por për garat e WEC, që përfshijnë tetë gara në vit, ai thotë:

“Ato janë më të strukturuara ndryshe nga F1. Është gjithmonë çështje e intensitetit me të cilin dëshiron të angazhohesh. Për mua, nëse marr pjesë në diçka, dua ta bëj mirë. Vetëm për të marrë pjesë, nuk është për mua.”

Me një karrierë të mbushur me suksese dhe respekt të madh në botën e automobilizmit, Vettel mbyll një epokë në F1, por lë të hapur derën për një kapitull të ri në gara të qëndrueshmërisë.

sfidanti.al