U mbushën 20 vjet nga mrekullia e quajtur Deportivo La Korunja!

Sot gati mund të themi se ishte harruar. Skuadra me ngjyrat bardheblu, që i përket qytetit në brigjet e Gjirit të Biskajës në Atlantik, ndodhet në Segunda Divizion, pra në kategorinë e dytë të Spanjës, por ja ku e kemi një rast për ta kujtuar madje fuqishëm. Pikërisht dje, në 19 maj, u mbushën 20 vjet që nga titulli i parë dhe i fundit kampion i fituar nga Deportivo e La Korunjos, që sfidoi Realin, Barcelonën, Atletiko, Valencian, Seviljen dhe gjithë klubet e mëdhenj spanjollë.

Ishte sezoni 1999-2000, në stol ishte trajneri Havier Irureta, në presidencë i paharruari Lendoiro, ndërsa në fushë ishte plejada e lojtarëve të tillë si Roi Makai, Mauro Silva, Zhalminja, Fran, Diego Tristan apo Nuredin Najbet. La Korunja u bë qyteti i dytë më i vogël në Spanjë që fitonte një titull, pasi me 250 000 banorë, lihej prapa vetëm nga San Sebastiani bask që kishte 180 000. Skuadra e madhe vazhdoi të shkëlqente duke luajtur ndeshjen numër 1 000 në La Liga në 2001, ndërsa në 6 mars 2002 fitoi Kupën e Mbretit ndaj Realit të Madridit, në “Santiago Bernabeu” (2-1), në atë që u quajt “sentenariaso” (centenariazo), pra kur u festua 100-vjetori i themelimit të Realit (në 6 mars 1902), dhe 100-vjetori i Kupës së Mbretit. Pas vitit 2010 erdhi rënia, por ajo Deportivo nuk harrohet kurrë.

Sfidanti.al