Macja turpëron legjendat e portës, “Manuel Nojeri” i ri gati për debutim!

Historia e futbollit i ka pasur legjendat të shumta. Të tillë, edhe yjet e portës, pasi kush i harron të tillë si Benks e Jashin, Shmajkel apo Dukadam? Po ashtu, edhe yjet e sotëm, siç mund të veçojmë dy portierët e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha e Tomas Strakosha? Gjithsesi, nuk besohet se ndonjë gardian porte mund të krahasohet me këtë mace.

Në videon e postuar në Tuiter shihen reflekset e saj të jashtëzakonshme, duke bërë pritje që mund t’i turpërojnë edhe profesionistët më të mirë. Videon e ka filmuar dhe postuar një djalosh i quajtur Kris Dikson, dhe menjëherë ka qenë një sukses me gati 4 milionë shikime. Maces i kanë vënë emrin “Maunuel Nojer”, në bazë të portierit të famshëm të Gjermanisë dhe të Bajernit të Mynihut.

Në Tuiter nuk munguan komentet, përkundrazi ishin me dhjetëra mijë mesazhe, në të cilët shprehej admirimi për kafshën shtëpiake, si dhe bëhej shaka duke sugjeruar që klubet e futbollit duhej t’i jepnin një kontratë. Edhe vetë Manuel Nojeri, për nder të të cilit është emëruar macja, vështirë se mund të arrijë nivele të tilla, edhe pse vlerësohet si portieri më i madh i viteve të fundit në të gjithë botën.

Sfidanti.al