Turqia për herë të parë “pushton” kontinentin, Euroliga e Fenerbahçes

Fenerbahçe e Stambollit hyri në histori me shkronja të mëdha. Euroliga e basketbollit të meshkujve pati për herë të parë një kampione nga Turqia, dhe ekipi i trajnerit Zheljko Obradoviç ia doli në finalen e dytë që luajti. Humbja dramatike e vjetshme ndaj CSKA-së së Moskës, u shlye plotësisht nga triumfi i thellë në ndeshjen fundore ndaj Olimpiakosit të Pireut. Skuadra me përvojë greke u mund bindshëm 80-64, ndonëse u përpoq të mbetej rivale deri afër fundit.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme në Arenën “Sinan Erdem”, me plot 15 671 spektatorë, me skena që të kujtonin ato të tifozëve grekë kur kombëtarja e Greqisë fitoi Kampionatin Europian në Athinë, përballë Bashkimit të madh Sovjetik, udhëhequr nga i paharrueshmi Nikos Galis.

Më të mirët për turqit ishin dy serbët, Bogdan Bogdanoviç dhe Nikola Kaliniç, që shënuan nga 17 pikë, dhe që ndoshta duhet të mendojnë për ta vazhduar karrierën në NBA. Ekpe Udoh shënoi 10 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë, Kaliniç pati edhe ai 5 asistë, ndërsa çeku Jan Veseli shënoi pak, 8 pikë, por kapi 8 topa në tabela. Italiani Luixhi Datome realizoi 11 pikë dhe kapi 6 topa në tabela.

Trajneri Zheljko Obradoviç e rriti edhe më shumë lavdinë e tij, tashmë me 9 Euroliga, arritur me 5 skuadra të ndryshme. Në 1992 e nisi gjithçka me Partizanin e Beogradit refugjat në atë kohë, në 1993 fitoi me Hoventudin e Badalonjës, në 1995 me Realin e Madridit, pastaj 5 herë me Panathinaikosin në 2000, 2002, 2007, 2009 dhe 2011. Së fundmi, me Fenerin në 2017. Serbi 57-vjeçar, ndoshta edhe ai duhet ta mendojë NBA-në, padyshim duke kaluar paragjykimet amerikane.

Në ndeshjen për vendin e tretë, CSKA e Moskës mundi thellë Realin e Madridit, 94-70. Ishin dy gjigandët e zhgënjyer që u eleminuan në gjysmëfinale, dhe që e kanë fituar këtë kompeticion më shumë se kushdo tjetër. Reali 9 herë dhe CSKA, 7.

Sfidanti.al