Tre medalje ari në 2021: Vjenë, Ballkaniadë, Beograd; kush më i mirë se Smajlaj?!

Nuk e ka arritur ende 2017-ën, por është vërtet një triumfues. Izmir Smajlaj po kalon një nga sezonet më të mirë të karrierës së tij, ndërsa fitoi medaljen e tretë të artë që nga fillimi i vitit 2021. Suksesi i radhës ishte në Mitingun e Hapur të Serbisë në Salla të Mbyllura në Beograd, ku triumfoi mbi konkurrencën me rezultatin 7 metra e 91 centimetra.

Me të njëjtin rezultat, 7.91 metra, Smajlaj fitoi medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua pak ditë më parë në Turqi. Ky ishte titulli i tij i dytë radhazi, dhe i treti në total, ndërsa një herë është shpallur nënkampion i Ballkanit.

Atleti më i mirë mashkull i vendit e nisi me këmbën e mbarë vitin 2021 duke fituar vendin e parë në Mitingun në Sallë të Mbyllur në Vjenë të Austrisë. Sportisti 27-vjeçar arriti rezultatin 7.89 metra, dhe mori medaljen e artë. Shkodrani e vlerësoi arritjen si shumë të mirë, ndërsa vinte nga operacioni në gju.

Smajlaj ende nuk ka arritur në nivelin e 2017-ës kur u shpall kampion i Europës për salla të mbyllura, pikërisht në Beograd me rekordin e tij kombëtar 8 metra e 8 centimetra, ndërsa këtë formë ndoshta dëshiron ta arrijë në Europianin e këtij viti që zhvillohet në muajin mars në Poloni.

Sfidanti.al